Fjala e Presidentit


Fjala përshëndetëse e Presidentit

Të nderuar Kolegë Stomatologë,

Ju përshëndes përzemërsisht me rastin e konstituimit të Urdhërit të Stomatologut!

Në zbatim të Ligjit nr.127, dt.2.10.2014, Ministri i Shëndetësisë z.Ilir Beqja, urdhëroi ngritjen e Komisionit për organizimin dhe monitorimin e zgjedhjeve të para themeluese të Urdhërit të Stomatologut, të përbërë prej: Dr.Enea Nuredini, Dr.Dorian Hysi, Dr.Eno Gaçe, Dr.Grej Malo dhe Dr.Nikoll Deda, nën mbikqyrjen e zv.Ministres së Shëndetësisë, znj.Milva Ekonomi. Në bashkëpunim edhe me stafin e ministrisë, të kryesuar nga znj. Ekonomi, realizuam në fillim ndarjen e Shqipërisë në 7 rajone në funksion të USSH, me gjithsej 49 këshilltarë,  të ndarë sipas qarqeve përkatëse: Shkodër, Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier dhe Vlorë.

Në çdo qark u organizuan zgjedhje me votim të fshehtë, me lista alternative, duke siguruar pjesëmarrje të drejtë gjinore. I gjithë proçesi vijoi pa kontestime në secilin qark, me nënshkrimin e gjithë komisionit, me pjesëmarrje masive dhe kulturë demokratike të mbi 1200 stomatologëve në vendin tonë.

Në Këshillat Rajonalë u zgjodhën mjekë stomatologë të shquar, me eksperiencë dhe integritet të lartë profesional. U mbajt mbledhja e parë e Asamblesë Kombëtare, si forumi më i lartë i USSH-së. Formula e zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit Kombëtar, e propozuar nga Ministri i Shëndetësisë z.Ilir Beqja, nuk pati asnjë kontestim në Asamblenë Kombëtare. Presidenti dhe zv. Presidenti i Urdhrit u zgjodhën me kantidatura alternative e votim të fshehtë.

Në Këshillin Kombëtar aderojnë 5 Profesorë Doktorë nga elita e Stomatologjisë Shqiptare, duke dhënë kontribut të vyer për organet kryesore drejtuese të USSH-së. Stomatologjia në vendin tonë, në këto 25 vjet të funksionimit të ekonomise së lirë të tregut, ka realizuar një revolucion të vërtetë. U hapën me qindra klinika, me ambjente e pajisje nga më bashkëkohoret.

Një pjesë jo e vogël e klinikave në qytetet e mëdha dhe sidomos në Tiranë, janë të nivelit europian në të gjitha drejtimet, si përsa i përket pajisjes së ambjenteve me aparatura të fjalës së fundit, ashtu edhe të stafit të kualifikuar në evente trainimi brenda dhe jashtë vendit. Mund të themi me bindje të plotë, se jemi shërbimi më i përparuar dhe më i integruar me nivelet europiane në vendin tonë.

Sot, stomatologjia dhe “tregu” i shërbimit dentar kanë nevojë emergjente për rregulla statutore, të etikës dhe të deontologjisë stomatologjike. Një nga shqetësimet që është ngritur me forcë në të gjitha mbledhjet e Asambleve Rajonale dhe në Këshillin Kombëtar, është reklamimi i shërbimeve stomatologjike me tarifa nën kosto, që nuk siguron standartin minimal të lejueshëm për stadin e tanishëm të shërbimit në vendin tonë. U vendos, që do të ndërmerren sanksione dhe penalitete të qarta e të prera, në zbatim të ligjit, statutit dhe Kodit të etikës deontologjike, përsa i përket reklamimit të çmimeve në media.

Problem me rëndësi, që dua të ndaj me ju, në fillimet e shërbimit të USSH, është sigurimi i një komunikimi sa më të mirë mes mjekut stomatolog e pacientit, sikurse dhe midis kolegëve stomatologë. Domosdoshmëria e komunikimit në shërbimin dentar është primare, si në asnjë fushë tjetër të mjekësisë. Seancat e shpeshta dhe të gjata kërkojnë kulturë dhe komunikim për vijimin korrekt të protokollit, me transparencë dhe në mirëkuptim të plotë nga pacienti. Protokolli i saktë dhe i ruajtur me korrektësi, është mënyra më e mirë për evitimin e mosmarrëveshjeve dhe penaliteteve ndaj stomatologut. Problem tjetër që dëmton standartin stomatologjik, është abuzimi me aplikimin dhe përcaktimin e indikacionit ortopedik, në vend të metodës terapeutike. Aplikimi i ortopedisë me çmime që nuk sigurojnë standartet e pranuara, është një shqetësim shumë i madh për profesionistët stomatologë. Klinika të tilla do të jenë objekt inspektimi nga grupet e ekspertëve, që do angazhojë Urdhri i Stomalologut.

Çështje e mprehtë dhe shumë shqetësuese për mjekësinë në përgjithësi dhe për stomatologjinë në veçanti, është Edukimi në Vazhdim, plotësimi ritmik në çdo vit i “krediteve” të mjaftueshme për vijimësinë e lejes së ushtrimit të profesionit si mjek Stomatolog. Aktualisht numërohen 378 stomatologë me Zero (0) kredite  dhe 357 nën pragun 100 kreditësh, të miratuara si kreditet minimale të përfituara gjatë ciklit 5 vjeçar të Edukimit në Vazhdim. Të gjithë këta stomatologë, do të kalojnë në testin kualifikues për të vazhduar të drejtën e ushtrimit të profesionit.

Urdhëri Profesional i Stomatologëve angazhohet për të licensuar çdo stomatolog dhe ndihmësstomatolog, që ushtron aktivitetin në respekt të ligjit, statutit e rregullores për anëtarësinë në USSH dhe nuk do të lejojë askënd të ushtrojë aktivitet i paregjistruar në Regjistrin Kombëtar të Urdhrit. USSH kërkon nga të gjithë anëtarët respektimin e normave të vendosura për anëtarësinë , pasi mos-shlyerja e kuotave të antarësisë në kohë dhe tejkalimi mbi tre muaj nga viti në vazhdim, çon në penalitet e deri në heqje të liçencës profesionale.

Së shpejti do të sigurojmë aderimin në forumet simotra në rajon, në Evropë e më gjerë. Në këtë mënyrë do të  sigurojmë kualifikimin e stafit dhe koherencë në shërbimin tonë ndaj jush. Stafi USSH-së do të sigurojë korrektësi, konseguencë dhe transparencë maksimale në proçesin e licensimit duke siguruar disponibilitet maksimal në shërbimin ndaj jush kolegë  stomatologë.

Urdhri i Stomatologut është në shërbimin Tuaj, i angazhuar për vendosjen e një bashkëbisedimi të përhershëm, për të qenë partnerë të denjë, për t`i dhënë zgjidhje problematikave, por edhe për të shpërndarë eksperiencën e mirë dhe arritjet profesionale të gjithsecilit prej jush. Për këtë arsye, dëshiroj t`ju uroj punë të mbarë e bashkëpunim të frytshëm për realizimin e objektivave të përbashkëta.

Faleminderit për bashkëpunimin!

Dr.Nikoll DEDA
PRESIDENT
URDHRI I STOMATOLOGUT