Më 14 Prill 2018, në ambientet e Teatrit “Petro Marko “ të qytetit të Vlorës, Asambleja Kombëtare e Urdhrit të Stomatologut Shqiptar organizoi festën e 100 vjetorit të dentistrisë vlonjate ku morën pjesë të zgjedhurit e strukturave dhe organeve të U.S.SH.-së, këshilltarët rajonalë, Këshilli Kombëtar, profesorati i Fakultetit të Mjekësisë Dentare, Dekania Prof. Assoc.Edit Xhajanka, drejtues dhe punonjës të institucioneve mjekësore lokale të qytetit të Vlorës , Kryetari Bashkisë Z.Artan Lela dhe Prefekti Z.Flamur Mamaj.
Fjalën e rastit e mbajti drejtuesja e këshillit rajonal të Vlorës, Dr.Venetike Xhaferaj e cila shpalosi historikun 100 vjeҫar të dentistrisë vlonjate nga fillesat e saj në 1918 deri në stomatologjinë moderne të ditëve të sotme.
Në emër të Asamblesë Kombetare dhe të Këshillit Kombëtar të Urdhrit Stomatologut Shqiptar, Presidenti i U.S.SH. i akordoi titullin më të lartë profesional: “Nderi i Stomatologjisë Shqiptare “ Dr.Aneta Rama, për kontribute të veçanta në themelimin e Stomatologjisë shqiptare, si dhe një nga mjeket e para stomatologe vlonjate e diplomuar në Poloni .
Dr.Aneta lindi me 1 shtator 1938 në Vlorë si bijë e një prej familjeve pionere intelektuale të krahinës së Labërisë, që në moshën e gjimnazit spikati si talente në disa lloje sportesh si atletikë, not, etj, duke garuar në mbi 4 lloje sporti . Në vitin 1955 filloi studimet universitare në Poloni dhe u diplomua si mjeke stomatologe në vitin 1961 në brezat e parë me arsimim të plotë universitar në dentistri. Dr.Aneta filloi punë si mjeke stomatologe në poliklinikën e qytetit të Vlorës, klinikë e porsathemeluar në vitin 1959.
Më vonë Dr.Aneta u transferua si stomatologe në kryeqytet, ku më pas ajo u specializua në specialitetin Radiologji – Fizoterapi stomatologjike. Punoi si drejtuese për shumë vite në disa poliklinika të kryeqytetit dhe shkëlqeu për nivelin e lartë profesional e shkencor si dhe kulturën e gjerë si intelektuale e shkolluar në një universitet prestigjoz europian.
Për arësye shëndetësore Dr.Aneta nuk mundi të merrte pjesë në event dhe titullin në emër të saj e tërhoqi, i biri, Z.Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë. Me këtë rast Z.Rama përshëndeti Asamblenë Kombëtare të U.S.SH., pedagogët e FMD-s dhe gjithë dentistrinë shqiptare.
Një tjetër personalitet i shquar i dentistrisë vlonjate u nderua me titullin: “Nderi i Stomatologjisë Shqiptare” Dr. Llukë Gjidede lindi në Himarë. Pasi mbaroi gjimnazin ‘Asim Zeneli’ në Gjirokastër në vitin 1954, vazhdoi studimet e larta në Fakultetin e Stomatologjisë, Akademia Mjekësore, Sofje, Bullgari, ku u diplomua me rezultate të shkëlqyera.
Në vitin 1960 u emërua Drejtor i Poliklinikës Stomatologjike të Vlorës. Specializimi i tij kryesor profesional është kirurgjia maksilo-faciale, për të cilën më 1983 ka mbrojtur disertacionin për Gradën Shkencore, “Doktor i Shkencave Mjekësore”. Ka marrë pjesë në aktivitete shkencore brenda dhe jashtë vendit, ku ka referuar dhe botuar artikuj të ndryshëm shkencorë-mjekësorë. Eshtë vlerësuar me urdhëra pune. Aktualisht vazhdon të ushtrojë profesionin në kabinetin e tij stomatologjik.
Festa e 100 vjetorit të dentistrisë vlonjate vazhdoi me një drekë gala ku dominoi një atmosferë shumë festive me stomatologë nga Vlora dhe gjithë Shqipëria. 100 vjetore i dentistrisëë vlonjate u shndërrua në festën e gjithë dentistrisë shqiptare. Në datën 14 Prill 2018, qytetin e Vlorës e dominoi detistria shqiptare.
____________________________________________________________________________________
Komenti i Kryeministrit Rama në fb: “I nderuar dhe i emocionuar që tërhoqa si mëkëmbës i nënës time, Anetës, e cila e kishte të pamundur të ishte e pranishme për shkak të sëmundjes së vështirë që po kalon, titullin “Nderi i Stomatologjisë Shqiptare” – akorduar për të nga Urdhëri i Stomatologut të Shqipërisë, në një ceremoni prekëse në vendlindjen e saj, me rastin e 100 vjetorit të Shërbimit Stomatologjik të Vlorës🙏Love you mom❤️Krenar për ty”