PROCEDURA DHE MEKANIZMAT

Pranë këshillave rajonalë dhe Këshillit Kombëtar funksionojnë komisionet disiplinore, si organizma të gjykimit profesional. Komisioni disiplinor rajonal përbëhet nga 7 anëtarë të zgjedhur nga këshilli rajonal. Komisioni Disiplinor Kombëtar përbëhet nga 9 anëtarë të zgjedhur nga Këshilli Kombëtar.

Komisioni verifikon dhe shqyrton ankesat e çdo personi për shkelje të Kodit Etik Deontologjik Stomatologjik, si dhe për gabime profesionale të anëtarëve të Urdhrit të Stomatologut.

Komisionet disiplinore, pranë këshillave rajonalë, ushtrojnë kompetenca disiplinore të shkallës së parë. Vendimet e tyre janë të apelueshme në komisionin disiplinor të Këshillit Kombëtar, i cili ushtron kompetenca disiplinore të shkallës së dytë.

Komisioni disiplinor heton dhe gjykon në bazë të fakteve dhe provave të administruara dhe seancës dëgjimore. Kur nuk kemi të bëjmë me një vepër penale dhe vërtetohet se anëtari ka kryer shkelje të etikës, të Kodit Etik Deontologjik Stomatologjik ose ka bërë gabime teknike, komisioni jep këto masa:

  1. a) vërejtje me shkrim;
  2. b) vërejtje me paralajmërim;
  3. c) gjobë nga 15 000 (pesëmbëdhjetë mijë) lekë deri 100 000 (njëqind mijë) lekë;

ç) propozim për shkarkim nga funksione drejtuese në institucione shëndetësore, publike dhe private; d) pezullim nga e drejta e zgjedhjes në organet drejtuese të Urdhrit të Stomatologut deri në 3 vjet;

  1. dh) përjashtim nga Urdhri i Stomatologut për një periudhë deri në 3 vjet;

Përveç masave të parashikuara në pikën 1 të këtij neni, komisioni ka të drejtë t’u caktojë të ndëshkuarve, si masë plotësuese, kryerjen e një rikualifikimi ose të studimeve plotësuese, të barabarta me 20 kredite.

Masat e sipërpërmendura disiplinore mund të shlyhen në qoftë se, brenda 1 viti nga dita e dhënies së tyre për shkronjat “a” dhe “b”, të pikës 1, dhe brenda 3 vjetëve nga data e dhënies së tyre, për shkronjat “ç”, “d” dhe “dh”, të pikës 1, nëse ndaj anëtarit nuk është marrë ndonjë masë tjetër disiplinore.

Gjoba e vendosur sipas shkronjës “c”, të pikës 1, derdhet në Buxhetin e Shtetit.

Ankesat për fillimin e procesimeve disiplinore ndaj një stomatologu që ushtron profesionin në Republikën e Shqipërisë dhe që është anëtar i USSH mund të paraqitet nga subjektet e përcaktuara në nenin 5 të Rregullores “Për gjykimin disiplinor profesional në USSH”. Ankesa paraqitet si rregull me shkrim përpara Këshillit Rajonal përkatës në të cilin stomatologu është anëtar.

Komisionet Disiplinore Rajonale shqyrtojnë çështjet brenda afateve të përcaktuara duke i garantuar palëve të drejtën e një procesi të rregullt ligjor.

Ankesat kundër vendimeve për marrjen e masave disiplinore nga Komisionet Disiplinore Rajonale paraqiten në komisionin disiplinor të Këshillit Kombëtar të Urdhrit të Stomatologut brenda 15 ditëve nga data e komunikimit me shkrim të vendimit.

Komisioni disiplinor, brenda 60 ditëve nga data e marrjes së ankesës, detyrohet të japë vendimin për ankesën e paraqitur. Vendimi i komisionit disiplinor të Këshillit Kombëtar ankimohet në gjykatën kompetente për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve administrative.

Scroll to Top